June 21, 2007

RIKUPERIMI MODERN

Ja pra, u ndava, pas gati tre vjetësh marrëdhënie moderne. Në një qytet të modernizuar, në një apartament të kompletuar me një stil modern minimalist, një ditë të bukur dëgjova edhe shprehjen moderne të ardhur nga goja e një mashkulli modern perëndimor “Nuk jam gati të krijoj familje”. Dhe nuk ishte një shprehje që vijonte pas një debati të gjatë, jo ishte e thjeshtë, direkte, hyri pa zhurmë në shtëpi, ndoshta ishte fshehur në xhepat e kostumit të tij të cilin ia kisha blerë tek Marks and Spenser në Londër. Në atë moment kur lëshoi fjalinë, unë isha duke u sorrollatur në internet siç bëja zakonisht kur e prisja të vinte në orët e vona. Pikërisht në atë moment, duhet të ishte rreth 23:42 minuta unë po chatoja në msn me një shoqen time, të cilës po i tregoja për të dielën që kisha kaluar së bashku me të dashurin tim jashtë Tirane, po i thoja me shaka se sa më mërziste kur e zinte gjumi ashtu duar mbledhur në kolltukun e madh, me telekomandën pranë vetes. Atë moment madje po qeshja kur kujtoja fytyrën e tij dhe syzet që I vareshin e I pengoheshin nën faqe ndërsa mundohej të levizte i pavetëdijshëm.
Pasi më tha se ishte konfuz, se nuk ndihej gati për familje, se ishte I shkatërruar nga trutë, vijoi të më thoshte se kishte fjetur një natë më parë me një femër, të prezantuar në një nga ato darkat mashkullore, ku meshkujt mashkullorë shqiptarë, pasi kanë “vënë në gjumë” gratë e tyre nisin sfidat mashkullore ‘e q…dot atë apo s’e qi”.Fatmirësisht ky e kishte fituar sfidën me një “p…të mirë” që sipas tij “I bënte numra”. E më pas, në kuadër të sinqeritetit të tij tepër të lakmueshëm në një marrëdhënie të hapur dhe moderne si e jona, më tregoi se e gjitha ishte sepse ndihej i mërzitur me veten dhe me gjendjen e tij shpirtërore. Falë një college course pre-psychology që kisha marrë në gjimnaz, u përpoqa të mos reagoja ndaj rrëfimit të tij të sinqertë, madje analizova se veprimet e tij mund ti bënte çdokush në vend të tij, sepse njerëzve iu lejohet të jenë konfuzë, iu lejohet tundimi dhe aq më shumë duhet tiu lejohen gabimet dhe dobësitë e karakterit që vijnë si pasojë e pasigurive të mbarsura që në fëmijëri. Këtu kujtova Frojdin.
Dhe kështu si modernë e të hapur, në konsensus dhe të karakterizuar nga një frymë bashkëpunimi, vendosëm “të rishikonim marrëdhënien tonë”, një term korrekt politikisht dhe i vetmi që mund të përdoret mes dy adultëve të shkolluar jashtë shtetit. Më pas, kjo fjali do të pasohej nga një tjetër, pjesë e filozofisë moderne të ndarjes civile të shekullit të 21-të “ Le të qëndrojmë disa kohë larg njëri-tjetrit për të kuptuar se çfarë po na ndodh”. Në qetësinë time dhe përmbajtjen prej një vajze të rritur në botën anglo-saksone, duke shmangur çdo reagim “të dëmshëm” ballkanik, vendosa ta përshëndesja dhe të largohesha po atë natë në shtëpinë time. Kur arrita shkëmbyem mesazhe, madje arritëm në një konkluzion të përbashkët se gjithçka do ja linim kohës
Dita e parë pas ndarjes. Të nesërmen unë u riktheva sërish për të paketuar plaçkat. Atë e gjeta në gjumë në kolltukin e dhomës së ndenjies pa ndërruar rrobat që nga mbrëmja. E përshëndeta. Kisha vënë pak tualet të dukesha e freskët sepse një gjë kisha mësuar duke lexuar literaturë “Harper’s Bazaar”; një femër duhet ti përmbajë emocionet dhe të duket gjithnjë në formë, sepse në këtë mënyrë ajo tregon forcë dhe kurajo. Ai më pyeti si isha dhe unë iu përgjigja thjesht “Mirë” duke provouar syzet e mia të reja Prada të sapo blera 25 mijë lekë, në një shopping të shpejtë përpara se të vija në apartament. Sips revistës Psychology Today, shopping cliron hormone anti-stres dhe ndihmon femrat të kapërcejnë momente të vështira. Ai më komplimentoi për syzet, madje më tha që “siç duket qenke bërë gati për një jetë të re” dhe unë i buzëqesha dhe si femër e lira që isha i thashe “Normal”. Pasi mbarova së paketuari një pjesë të rrobave, duke i organizuar veshjet e verës në një valixhe e të dimrit në tjetrën, dhe këpucët në një çantë të madhe të tij të cilën ia kërkova borxh, ai më kërkoi të rrija dhe pak, sa për të pirë një cigare me të. Unë nuk duhet ta refuzoja sepse nëse do të sillesha ndryshe, kjo do të me ulte pikë, do të dukesha pastaj që po e vuaja këtë ndarje dhe do ti përngjaja atyre femrave injorante e pa klas që zbrazeshin tek parukieret e lagjes. Unë nuk mund të sillesha ashtu, jo një si unë me diplomë masteri e jetese të gjatë jashtë shtetit. Kështu që e piva cigaren dhe gjatë asaj kohe bëmë një muhabet të zakonshëm madje fantazuam se çdo të ndodhte mes nesh, ishte një skenë si e shkëputur nga letrat mes Simone de Beauvoir dhe Jean Paul Sartre. Unë i fola për lirinë e individit dhe se nëse ndarja ishte zgjedhja e tij le të mbetet e tillë. Ai më mbështeti plotësisht dhe theksoi se ky ishte një moment tepër i dhimbshëm në jetën e tij dhe se nuk po mësohej dot pa praninë time (kishin kaluar vetëm 11 orë nga deklarata e tij e lirisë). Më tregoi se do e kishte të vështirë të pranonte një femër tjetër në jetën e tij, madje për një kohë të gjatë nuk mund ta ndante krevatin tonë me asnjë. Unë i buzëqesha dhe i thashe të mos bënte kurrë parashikime, duke njohur dhe tipin e tij spontan dhe shpeshherë të dashuruar me alkolin e shumë shpesh me femrat.
Dita e tretë pas ndarjes. Më kishin ngelur edhe disa plaçka për të marrë. Ngjitem në apartament dhe atje gjej pastruesen tonë e cila vuri buzën në gaz kur më pa, pasi dy ditë me rradhë kishte qarë për ndarjen tonë, madje në një moment më kishte kërkuar në telefon “të kthehesha tek burri im”. Unë qesha dhe i thashë që nuk e kisha burrë. Ajo më tha që njerëzit nuk ndahen për një fjalë dhe më tregoi se si po bashkëjetonte prej 20 vjetësh me një burrë që herë pas here donte ta hidhte nga ballkoni dhe herë pas here ta puthte pa pushim. “Konstantim pastruese”mendova me vete dhe e lashë të endej në gjykimin e saj. Kur hyra në apartament, më qartë në banjo, ndërsa po mblidhja tualetet, vë re mbi lavaman një krem për heqjen e tualetit. Unë nuk përdor kurrë krem të tillë, pastruesja jo e jo. U përtypa dhe mora frymë thellë. Pa shkëputur sytë ende nga ajo shishe e bardhë me gërma në italisht, më vjen pastruesja e cila duke mbajtur një bluzë ngjyrë ulliri në dorë më pyet nëse e kisha harruar ta paketoja. Bluza, e thjeshtë dhe elegante ndryshe nga stili im hipster ishte gjetur e hedhur në kolltuk. Ndërsa krevati ishte rrëmujë nga të dyja anët. Jastëkët ishin të shpërndarë dhe ende dalloheshin rrudhat e krijuara nga gjurmët e kokave. Nuk them asgjë. Në atë moment as pastruesja nuk foli. Mbledh plaçkat që kisha për të mbledhur, ulem për disa çaste përpara televizorit që të mos dukesha sikur isha e tronditur nga ajo skenë, dhe pasi lëshojë një batutë të momentit me të cilën u përpoqa të qeshja, çohem dhe iki. Duke qënë se në mendjen dhe gjykimin tim të shëndoshë ishte e pritshme kjo skenë, vendos të mos e diskutojë fare me ish-të dashurin tim. “Nuk është e nevojshme të flasë për një gjë që nuk më përket më” binda veten.

Dita e shtatë pas ndarjes. Sipas sugjerimeve të mikeshave të mia, më saktë pas një këmbëngulje të fortë nga ana e tyre, i kërkoj të takohemi, sepse mesa duket qënka e nevojshme ti them të gjitha e në këtë mënyrë mund të ndihem e lehtësuar përgjithnjë. Rrugës për në lokalin që frekuentonim shpesh, mendova 100 fjali me të cilat duhet të nisja bisedën por kur arrita dhe u ula përballë fytyrës së tij çuditërisht të qetë, u hodha e para dhe i thashë se vendimi i tij ishte perfekt dhe se na duhej një ndarje dhe se unë isha mjaft dakord me vendimin e tij. Ai tha vetëm “të lutem vetëm mos u bë si femrat e tjera, se e di që s’je, mos me thuaj se ke bërë për mua etj etj”. Ai nuk e dinte që unë kurrë nuk do ta thosha atë gjë, sepse normalisht unë nuk isha si femrat e tjera dhe me këtë kisha luftuar gjithë këto vite bashkë, për të qënë ndryshe. “Absolutisht jo” i thashë. Më pas me humor dhe me sinqeritetin e tij karakteristik më tregoi se si e dashura aktuale, ishte bërë me nerva që po takoheshim bashkë. Kishin kaluar vetëm 7 ditë nga fundi i një marrëdhënieje tre vjeçare. Nuk reagova. Rrufita birrën. Porositëm edhe një tjetër dhe do të vazhdonim të rrinim më gjatë nëse unë nuk do ta kisha llogaritur me saktësi Roleksi kohën e ndenjies. “Një birrë tregon mërzitje dhe frikë ballafaqimi, tre birra tregon dobësi karakteri dhe obsesion”. Dy birra ishin perfekte. Atë natë shkëmbyem sërish mesazhe ku sërish thamë se do t’ja linim zotit në dorë, dhe ai sërish më tha që unë isha marrëdhënia më e mirë dhe ndihej shumë keq që po përfundonte kështu dhe se ishte i sigurtë se do të përfundonte me femra budallaqe pasi unë nuk e meritoja. Të nesërmen u zgjova tre orë më shpejt se sasia ime normale e gjumit, prej 8 orësh.

Ditët vijuan shpesh me mesazhe e shpesh me heshtje. Kaluan muaj e herë pas here ai kujtohej të më shkruante. Kishte raste kur më qahej për të dashurën e tij aktuale të cilën sipas tij e kishte zënë për të më harruar mua, se ajo ishte shumë posesive dhe jo tolerante si unë, se vetëm me mua ngjiste, madje më thoshte se e bënte për të vjellë. Unë i jepja sugjerimet e mia të mbledhura nga eksperienca apo leximet e shumta që kisha bërë në kësi rastesh. Më pas ndalonte së foluri sërish, atëherë kur pajtohej sërish me të dashurën . Dhe sërish niste nga fillimi të ndërtonte jetën në çift me femrën që kishtë takuar në mërzitje e sipër në një bar, dhe që si çdo femër tjetër e zakonshme i kërkonte një marrëdhënie të konsoliduar që si çdo marrëdhënie tjetër drejtohej drejt krijimit të një familjeje, për të cilën ai “fatkeqësisht” nuk ishte gati. Ndërsa unë, sipas këshillave të psikologëve online, kryesisht në MSN, kisha zënë dy punë, kisha nisur intensivisht palestrën dhe kisha evituar ndenjien me njerëz depresivë të cilët kujtonin vazhdimisht dashuritë e tyre të humbura.
Kisha nisur një jetë të shëndetshme, madje pas një testi të “death clock” të cilin e kisha bërë në internet, kisha rezultuar se me këtë jetë aktive të mbushur me palestër dhe ushqime të kontrolluara në përpikmëri me piramidën e ushqimit, do të vdisja në moshën 93 vjeç. Fundjavët mundohesha ti laragohesha Tiranës, i hipja makinës dhe zgjidhja një destinacion të ri çdo herë me miq të rastësishëm, dhe alegro. Pamja ime kishte ndryshuar krejtësisht aq sa nisa të lodhesha nga komplimentat e shpeshta që më bënin e sidomos “Uau, ku paske qënë” apo “Të paska bëërë mirë ndarja”. Kështu vijoi jeta ime. Shoqet më përgëzonin dhe habiteshin për vullnetin dhe forcën time ndërsa unë qeshja dhe i thoja se “Nuk kam kohë të vuaj, vuajtja është bërë për të dobëtit”. Për disa kohë madje u lidha edhe me një të panjohur tërheqës, më saktë një “latin lover” të njohur rastësisht në një qytet bregdetar, në një udhëtim të vendosur në minutën e fundit, një takim që përfundoi në një seks që më shumë se akt fizik ishte një akt çlirimi. Këtë histori “vere” e tregova dhe e ritregova me zë të lartë përballë syve të shqyer të shoqeve të mia, të cilat habiteshin sesa shpejt e kisha marrë veten. Ndërsa mua me pëlqente ta dëgjoja shpesh këtë aventurë, mjaftueshëm për të bindur veten se gjithçka shkonte mirë. Madje aq shumë u binda se isha rikuperuar, saqë i dërgoja herë pas here ish-it edhe mesazhe urimi kur merrja vesh për ndonjë arritje të tij në punë, dhe për më tepër diskutoja me të rreth ndonjë çështjeje pune. Në fakt, ky ishte rikuperimi më modern që do të përshendetj nga çdo Doktor e Psikolog në botë, aq sa historia ime nisi të tregohej gojë më gojë dhe unë u bëra heroinë në mendjen e të gjithë femrave që kishin kaluar ndarje si unë, dhe joshëse në mendjen e meshkujve që tek unë shihnin antitezën e femrës model: qaramane, obsesive dhe të varur emocionalisht. Më shihnin kudo të lumtur, kur kërceja në skenën e një buzuku e shpenguar nga pija, kur puthesha me gjuhë me latin-lover në një lokal të mbushur me miqtë e ish-të dashurit, kur pija birra deri në orët e para të mëngjesit me kolegë meshkuj derisa të më vinte gjumi e të fleja direket, apo kur qeshja me të madhe në ndonjë restorant buzë detit me miqtë e mi të krijuar rastësisht. Unë isha “talk of the town”, isha epitoma e femrës së fortë, isha gruaja perfekte për kopertinën e “W” të Gloria Steinem...Unë isha....Ah më falni por tani duhet ta mbyll, sepse po ndjej hapat e mjekut që po vjen në dhomën time. Ai nuk më lejon të shkruajë deri vonë. Harrova t’iu them, jam shtruar në spital që prej ditës së djeshme pas një gjendjeje të përsërituri të fikësh. Unë ua bëra të qartë që ishte nga mbi-lodhja në punë, ndërsa një nga ato sanitaret trashaluqe e më tha “Ke harruar të qash motra”. Pastaj injorantja rreth të 40-tave, pa pyetur u ul pranë meje e më tregoi se si ishte ndarë nga i fejuari i saj 9 vite më parë.
-“Ai më thote shpesh “ Lume, kam pun, Lume jam ktu” Pleqtë e mi donin qe un tu martojsha e ai me thoshte, jo skena lek tani, jo skena lek me vone”
Nji dit me thote nji shoqja ime “ O Lume, kam parë Çimin me atë magazineren bjonde, Moza, Moza, ishin tu pi kafe nga Zogu i Zi”. Kur erdhi ne shpi ca si kam thon, o derr, o kurvar muti, o qelbsir, po une kijsha mbledh leke edhe me mobilu me ty gjasme por qen, po ai me kishte then se donte me me ngel me barre. I kam gjujt me ca me doli përpara, i thashe të më qerrohej nga syte.”
-“Po ai cfarë të tha”
-“ Ai më tha, “jo une te du vetem ty, jo ajo tjetra ishte kot, jo kam qen tape, jo ste krahasoj me njeri”
- Po ti c’bere?’
- E di si eshte puna motra, o un numri një o ska fare. Ik ere pirdhu i thashe se zdu me ta pa surratin, ik zhduku me gjith ate qelbsiren, dashnoren tate. Po kam vujt shume me t’thon te drejten, kam qajt, e kam taku e kam bo si kalama, ene ai ka qajt pastaj vazhdoi me ate kurven, po me ngacomnte her pas here. Une sngela pa ia thene te gjitha, qe ishte maskara, qe ishte katil, ia kam tregu njeher çfar me kishte thon ne sy te asaj buçes, qe kruhej prap domethon.
- Po ti c’bere me pas?’
-Jo unë pastaj takova Baçin, u martum ene kom dy kalamaj. Degjo motra, se te kam si gocen time, mblidhe mendjen e zemren, nji edhe nji bojn dy. O me ty o pa ty, osht kjo pune, jo ene ktej ene andej.
- Po une te mbledhura i kam
- Po ti motra, si ke hap ala, qe ti mbledhesh. – dhe qeshi duke formuar rrudha ne forme harqesh te vogla rreth buzes.
“Çfarë femrash që ka kjo botë, shiko sa e ulin veten me këto reagime ndaj meshkujve”. Tani po mbyll dritën se mos vjen mjeku.

Copyright @ D.B June 21, 2007

1 comment:

akullnaja said...

hej,
"rashë" rastësisht në blogun tënd.
Shpresoj të jesh mirë të të lexoj së shpejti, këtu a atje ku "they know everything".:)